Ardit Bido

Lajmet e fundit

Ardit Bido: Një vizion i qartë për Sarandën – nga turizmi te shërbimet publike

Kandidati për deputet në qarkun Vlorë, Ardit Bido, ka ndarë përmes rrjeteve sociale një vizion të qartë dhe të detajuar për zhvillimin e Sarandës dhe Ksamilit – si destinacione turistike ndërkombëtare, por edhe si qendra funksionale për banorët e tyre.

“Saranda është qyteti që më ka formuar si njeri dhe si profesionist. Angazhimi im për të nuk është thjesht politik – është personal dhe i thellë,” shprehet Bido.

Në planin e tij për zhvillimin e Sarandës përfshihen:

Zhvillimi i turizmit gjithëvjetor, përmes rikthimit të elementeve identitare si Onhezmi, Piro Palace, trampolinat dhe banesat tradicionale me gurë;

Promovimi i turizmit kulturor dhe natyror, nga Foinika në Kakome dhe nga Çorraj në Nivicë;

Zhvillimi i agroturizmit, investime në infrastrukturën turistike dhe krijimi i plazheve publike me akses për të gjithë qytetarët;

Rritje e cilësisë së jetës, me modernizim të shkollave, përmirësim të shërbimeve shëndetësore dhe më shumë mbështetje për arsimin e lartë;

Nxitje për ekonominë lokale, përmes lehtësirave fiskale, subvencioneve për startup-e dhe forcimit të bashkëpunimit mes biznesit dhe administratës;

Zgjidhje për çështjet infrastrukturore, si Bypass-i i Sarandës, ndërtimi i parkingjeve publike dhe përmirësimi i rrugëve dhe lagjeve të qytetit;

Siguri ligjore për pronarët, me zgjidhje për procesin e hipotekimit të trojeve;

Shërbime publike më të shpejta dhe cilësore, përmes fuqizimit të institucioneve rajonale.

“Unë besoj se Saranda duhet të kthehet në një qendër model të zhvillimit ekonomik dhe social në jug të Shqipërisë. Saranda nuk është vetëm bregdet – është identitet, histori dhe mundësi,” përmbyll Bido, duke ftuar qytetarët të njihen me programin e tij në platformën zyrtare www.arditbido.al.