Ardit Bido

Lajmet e fundit

Ardit Bido: PD del sërish vetëm kundër meje – Doktor, mos dil më bllof! Shihemi në Kuvendin e Shqiptarëve

Për të dytën ditë radhazi, Partia Demokratike ka mbajtur konferencë për shtyp të përqendruar vetëm ndaj kandidatit të Partisë Socialiste, Ardit Bido, duke e veçuar atë nga mbi 180 kandidatë të tjerë të mazhorancës. Kjo qasje, sipas Bidos, dëshmon frikën që PD ka për përballjen në Kuvendin e ardhshëm.

Reagimi i Bidos pas deklaratës së zëdhënëses së PD-së ishte i drejtpërdrejtë dhe i argumentuar me dokumente zyrtare:

“Thanë që nuk kam hequr dorë si Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave. As dinë të lexojnë ligjin, as të shohin dokumentet. Akti i pezullimit nga Departamenti i Administratës Publike mban datën 12 mars 2025 – një ditë para se të dorëzoja kandidaturën.”

Bido sqaroi se, siç e parashikon ligji për nëpunësin civil, drejtuesit e institucioneve nuk japin dorëheqje, por pezullohen me vendim të DAP. Për më tepër, ai kishte deleguar me kohë kompetencat te zëvendësdrejtori, duke vepruar në përputhje të plotë me ligjin.

Duke iu referuar përfaqësuesve të PD-së dhe retorikës së tyre, Bido ironizoi nivelin e argumentimit të opozitës:

“Kështu ndodh kur këshillohesh me ‘dijetarë’ si Fredi Beleri. Doktor, mos dil më bllof! Sa herë të flasësh, aq herë do të më gjesh përballë, me të vërtetat historike dhe aktuale.”

Ai përfundoi me një mesazh të qartë për kundërshtarët e tij politikë:

“Mos kërkoni të më përjashtoni me teknikalitete. Do të jemi përballë në Parlamentin e Shqiptarëve – unë me pastërtinë time, ju me aleancën e interesave të ditës.”