Kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Ardit Bido, zhvilloi një takim të ngrohtë me anëtarë të komunitetit shqiptar në Hania të Greqisë, ku vuri theksin te rëndësia thelbësore që ka diaspora për të ardhmen e kombit shqiptar.
Në mesazhin e tij, Bido theksoi se diaspora nuk është thjesht një burim votash, por një komponent i pazëvendësueshëm i projektit kombëtar, që duhet parë si pjesë e pandarë e zhvillimit të Shqipërisë brenda dhe jashtë kufijve të saj.
“Diaspora për mua nuk është thjesht një burim votash. Ajo është, mbi të gjitha, një bindje e fortë për mënyrën se si duhet të funksionojë kombi ynë – brenda Shqipërisë dhe përtej kufijve të saj.”
Duke e përshkruar realitetin e sotëm, ku një pjesë e madhe e shqiptarëve jetojnë jashtë trojeve historike, Bido kërkoi një qasje të re dhe gjithëpërfshirëse ndaj diasporës.
“Nuk mjafton më ta shohim atë vetëm si simbol identiteti apo krenarie. Na nevojitet një lidhje më e fortë dhe konkrete mes diasporës dhe vendit – një lidhje që përfshin edhe ekonominë, për të sjellë më shumë mirëqenie për çdo familje shqiptare, kudo që jeton.”
Bido theksoi nevojën për një vizion të ri kombëtar, që i trajton shqiptarët, pavarësisht vendndodhjes, si pjesë e një trupi të vetëm, me të njëjtin qëllim dhe të ardhme të përbashkët:
“Vetëm në këtë mënyrë do të mund të ndërtojmë një të ardhme më të fortë, më të bashkuar dhe më të begatë për të gjithë.”
Takimi në Hania u karakterizua nga një frymë respekti të ndërsjellë dhe bashkëbisedimi të hapur me shqiptarë të përkushtuar, të cilët ruajnë një lidhje të fortë me vendin e tyre, pavarësisht distancës fizike.
