Ardit Bido

Lajmet e fundit

Ardit Bido në Athinë: Trashëgimia arbërore është një urë që bashkon, jo ndan

Në një vizitë të veçantë në Athinë, kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Qarkun Vlorë, Ardit Bido, zhvilloi një takim me qindra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, veçanërisht në rajonin e Atikës. Mes emocioneve dhe reflektimeve të sinqerta, ai ndau ndjesinë e fortë të përkatësisë dhe respektit për rrënjët e përbashkëta kulturore.

“Dje pata fatin të marr pjesë në një takim të paharrueshëm në Athinë, ku takova qindra shqiptarë që jetojnë me nder, përkushtim dhe sakrificë. Ata ruajnë me krenari identitetin, gjuhën dhe dashurinë për vendin e tyre, edhe pse janë larg Shqipërisë,” u shpreh Bido.

Ai ndaloi veçanërisht te lidhja historike e kësaj zone me figurën e Gjin Bue Shpatës dhe prania e hershme e arvanitasve në Atikë, një komunitet që edhe sot ruan gjuhën arbërore – nëndialektin toskë të shqipes. “Aeroporti i Athinës ndodhet pranë zonës së Shpatës, themeluar në shekullin XV nga pasardhës të Gjin Bue Shpatës. Ky është një kujtim i gjallë i pranisë sonë historike dhe një dëshmi e lidhjes që nuk është këputur kurrë,” theksoi kandidati.

Duke e cilësuar këtë trashëgimi si një pasuri kulturore që përhapet nga Atika e deri në Peloponez, Bido u shpreh se ajo duhet të mbrohet dhe promovohet si një urë bashkimi dhe mirëkuptimi mes shqiptarëve dhe grekëve, e jo të shihet përmes lenteve të nacionalizmit.

“Ky është një thirrje për respekt dhe vlerësim të ndërsjellë,” përfundoi ai.