Kandidati i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës, Ardit Bido, zhvilloi një takim të hapur me gazetarët lokalë të Sarandës, ku ndau me ta mendime, shqetësime dhe vizione për të ardhmen e qytetit.
Si një djalë i këtij qyteti, Ardit Bido shprehet se Saranda meriton më shumë sesa turizmin sezonal dhe sfidat infrastrukturore të pazgjidhura prej vitesh. Takimi u përqendrua te nevoja për muze dhe hapësira kulturore, sfidat me parkimin si dhe domosdoshmëria për të ndërtuar një turizëm të qëndrueshëm, që të çon përtej detit – drejt Foinikës, Tatzatit dhe trashëgimisë historike e natyrore të zonës.
“Ky nuk ishte një takim formal, por një bisedë e sinqertë me njerëz që e jetojnë Sarandën çdo ditë dhe e njohin nga afër realitetin e saj. Për disa, mund të jenë ‘gazetarët e Sarandës’, por për mua janë miq dhe bashkëbisedues të çmuar,” shkruan Bido në rrjetet e tij sociale.
Me një eksperiencë të gjatë në administratën publike dhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ai theksoi se Saranda ka potencialin për më shumë, nëse shoqërohet me vizion, vullnet dhe përfaqësim të zëshëm në Kuvendin e Shqipërisë.
“Jam gati ta çoj më tej atë që kemi nisur, me vendosmëri dhe dashuri për qytetin tim,” përfundoi kandidati socialist.











