Kandidati për deputet në qarkun Vlorë, Ardit Bido, ka depozituar sot një kallëzim penal për shpifje në Gjykatën e Tiranës ndaj zëdhënëses së Partisë Demokratike, në lidhje me deklaratat e rreme të bëra në adresë të tij gjatë kësaj fushate.
“Partia Demokratike ka zgjedhur të nisë fushatën në mënyrën e vetme që njeh: përmes përbaltjes,” – shprehet Bido në deklaratën e tij. Ai thekson se pas sqarimit zyrtar të bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e vërteta është e qartë: Ardit Bido është pezulluar nga detyra si Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave, siç parashikohet nga ligji për zyrtarët që kandidojnë në zgjedhje.
“Faktet flasin vetë,” – thotë ai. “Shpifjes nuk i përgjigjemi me të njëjtën monedhë. I përgjigjemi aty ku duhet: në gjykatë.”
Bido nënvizon se për të, politika është përgjegjësi dhe përballje me qytetarët, jo baltë e shpifje ndaj kundërshtarit. Ai thekson rëndësinë e ofertës politike dhe besimit që fitohet me vepra, jo me zhurmë.
“Politika e vjetër nuk ka më vend. Jo më lojëra me fjalë. Jo më baltë për të fshehur boshllëkun. Shihemi në gjykatë me politikën e vjetër dhe në Parlament me një përballje të ndershme për çështjet që vërtet kanë rëndësi,” – përmbyll Bido.
