Në kuadër të takimeve me komunitetin sportiv dhe të rinjtë e zonës, Ardit Bido zhvilloi një takim të veçantë me ekipin e futbollit të Bistricës në Delvinë – një grup i përkushtuar të rinjsh që përfaqësojnë me pasion dhe energji traditën sportive të zonës.
Gjatë bashkëbisedimit, u diskutua mbi sfidat që përballen ekipet lokale, mungesën e mbështetjes infrastrukturore dhe nevojën për investime në sport si një element kyç për zhvillimin e të rinjve dhe komunitetit.
“Delvina ka talente që meritojnë mbështetje dhe hapësira për të shkëlqyer. Ndihem veçanërisht krenar për këtë takim, sepse familja ime ka lidhje të hershme me ekipin e Bistricës – të afërmit e mi kanë qenë pjesë e saj si lojtarë dhe trajnerë. Është një emocion i veçantë të rikthehesh aty ku ke kujtime dhe rrënjë,” – u shpreh kandidati i Partisë Socialiste për Qarkun Vlorë, Ardit Bido.
Duke kujtuar edhe lidhjen e tij me ekipin e Butrintit, ai shtoi me humor: “Ka një ndeshje që nuk e fitoj dot – atë mes Butrintit dhe Bistricës. Që fëmijë, kam qenë nga të dyja anët e stadiumit; zemra më rrihte njësoj kur topi hynte në portën blu ose në atë të verdhë.”
Ky takim ishte një tjetër dëshmi e angazhimit të kandidatit për të dëgjuar dhe mbështetur zërat e komunitetit, sidomos të rinjtë dhe sportistët e apasionuar që i japin jetë qyteteve tona.
📲 Programi i plotë i Ardit Bidos është i publikuar në: www.arditbido.al








