Ardit Bido

Lajmet e fundit

Ardit Bido reagon ndaj manipulimit politik me identitetin e qytetarëve të Himarës

“Identiteti nuk përdoret si mjet elektoral. As historia, as përkatësia etnike nuk janë monedhë votash.”

Kandidati për deputet në qarkun Vlorë, Ardit Bido, ka reaguar ndaj deklaratave të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, të cilat kanë vënë në qendër të retorikës politike çështjen e Fredi Belerit dhe minoritetit grek në Himarë.

Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, Bido shprehet se vendimet e drejtësisë nuk mund të keqpërdoren për të krijuar ndasi dhe për të ndërtuar fushata mbi baza përjashtuese.

“Që kur drejtësia shqiptare u bë problem për minoritetin? Apo vetëm kur prek aleatët tuaj?”, shprehet Bido, duke theksuar se blerja e votave nuk mund të fshihet pas retorikës së gënjeshtërt të diskriminimit.

Ai ngre pyetjen retorike: a janë të gjithë banorët e Himarës që nuk mbështesin PD-në më pak grekë apo më pak shqiptarë?

“Do të na thoni që edhe banorët e Nivicës, Shën Vasilit, Lukovës, Piqerasit, Borshit, Fterrës, Vunoit, Pilurit, Dhërmiut e Palasës janë minoritet, vetëm sepse nuk janë me ju politikisht?”, vijon ai.

Sipas Bidos, manipulimi me përkatësinë etnike është i rrezikshëm dhe fyen dinjitetin e qytetarëve.

“Nëse vazhdoni të luani me identitetin e njerëzve, mos u çudisni kur ata t’ju përgjigjen jo si ‘grekë’, as si ‘shqiptarë’, por si njerëz me dinjitet, që nuk shiten.”

Në përfundim, Bido shprehet qartë: “Bashkë, shihemi në Parlamentin e shqiptarëve. Ju meruni me lavdi fiktive. Ne merremi me punën.”