Ardit Bido

Lajmet e fundit

Ballë për ballë me njerëzit, aty ku çdo rrugë flet me kujtesë

Në lagjen 4, në Kodër të Sarandës, ku ka lindur dhe është rritur, kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Ardit Bido, zhvilloi një takim të thjeshtë, por domethënës me banorët e zonës.

Pa protokoll, pa filtra, në një atmosferë miqësore e të drejtpërdrejtë, biseda u përqendrua në shqetësimet e përditshme që nisin pikërisht aty – nga rrugicat e lagjes, ku ndjeshmëria dhe nevoja janë më të prekshme.

“Çdo rrugicë më kujton se politika e vërtetë fillon nga afër, me njerëzit,” u shpreh Bido, duke theksuar se për të, angazhimi politik nuk buron nga distanca, por nga prania, nga dëgjimi dhe nga përballja reale me nevojat e komunitetit.

Ai nënvizoi se nuk ka zhvillim të qëndrueshëm të një qyteti nëse nuk fillon nga lagjet, dhe se kush nuk dëgjon sot në lagje, nesër nuk ka ç’të thotë në Kuvend.