Delvina, një qytet me një histori të pasur dhe me potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi, ka mbetur për shumë vite një zonë e lënë pas dore. Megjithatë, kandidati për deputet në Qarkun e Vlorës, Ardit Bido, ka një plan të qartë dhe ambicioz për ta ringritur këtë qytet dhe për ta shndërruar atë në një motor zhvillimi për të gjithë jugun e Shqipërisë. “Në këto 35 vjet, Delvina është lënë pas dore, ndërsa zonat përreth janë zhvilluar. Është koha për një kthesë të madhe, është koha për të rikthyer madhështinë e Delvinës”, – shprehet Bido në planin e tij për qytetin.
Bido beson se një nga hapësirat më të mëdha për zhvillim është sektori i turizmit kulturor dhe i agroturizmit. Për të shfrytëzuar këtë potencial, ai ka në plan të lobojë për restaurimin e Kalasë së Delvinës dhe rikthimin në jetë të lagjeve karakteristike, si “Llakë” dhe “Xhermëhallë”, për t’u krijuar atraksione të reja që do të tërheqin vizitorë nga e gjithë bota. Po ashtu, ai ka në plan të mbështesë krijimin e një muzeu dedikuar Sulejman Delvinës, si dhe promovimin e fshatrave përreth, si Tatzati dhe Senica, duke investuar në infrastrukturën e tyre dhe në marketingun turistik. Bido synon të kthejë Delvinën në një destinacion të qëndrueshëm turistik, duke lidhur zhvillimin e turizmit me ruajtjen dhe valorizimin e traditës dhe të historisë së qytetit dhe të zonës përreth.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i planit të Ardit Bidos është diversifikimi ekonomik i Delvinës. Ai beson se zhvillimi ekonomik i qytetit nuk mund të mbështetet vetëm te bujqësia tradicionale, por duhet të bëhet i qëndrueshëm përmes agroturizmit dhe nxitjes së sipërmarrjeve të reja. Sipas Bidos, produkte të njohura të zonës, si mjalti, vaji i ullirit dhe verërat lokale, mund të shndërrohen në një zinxhir të ri ekonomik që lidh prodhimin me turizmin, duke krijuar mundësi për zhvillimin e gastronomisë tradicionale dhe duke fuqizuar bizneset lokale. Bido ka ndër mend të përmirësojë mundësitë për të krijuar një rreth ekonomik që lidhet me këtë sektor, duke e bërë Delvinën një destinacion gjithëpërfshirës për ata që kërkojnë një eksperiencë autentike në jug të Shqipërisë.
Në infrastrukturë dhe në shërbime publike, Bido ka për qëllim të modernizojë qytetin dhe ta bëjë atë më tërheqës për banorët dhe për vizitorët. Ai propozon krijimin e qendrave “One-Stop-Shop” që do të ofrojnë një mundësi të integruar për qytetarët, për të lehtësuar aksesin në dokumente dhe në shërbime administrative. Po ashtu, ai do të angazhohet për përfundimin e procesit të azhurnimit dhe të hipotekimit të pronave, duke ofruar siguri ligjore për të gjithë banorët. Me këto iniciativa, ai synon të përmirësojë cilësinë e jetesës dhe të ofrojë mundësi më të mira për të gjithë ata që duan të investojnë dhe të jetojnë në Delvinë.

Për sa i përket arsimit dhe shëndetësisë, Ardit Bido ka në plan modernizimin e shkollave dhe krijimin e mundësive për trajnime profesionale, që i përgjigjen kërkesave të tregut të punës. Ai beson se një arsim cilësor është çelësi për të mbajtur të rinjtë në qytet dhe për të tërhequr investime të reja. Në sektorin e shëndetësisë, Bido synon të lobojë për shtimin e stafit mjekësor dhe për përmirësimin e shërbimeve në qendrat shëndetësore të qytetit dhe të fshatrave përreth, duke ofruar kujdes më të mirë për qytetarët e Delvinës.
Ardit Bido është i bindur se Delvina ka potencial të jashtëzakonshëm për t’u shndërruar në një qendër të rëndësishme zhvillimi për jugun e Shqipërisë, dhe për këtë është e domosdoshme që të realizohen projekte konkrete dhe të qëndrueshme. “Delvina ka gjithçka për t’u zhvilluar: histori, natyrë, pozicion strategjik. Është koha që të sjellim investime dhe ta kthejmë në një qytet me të ardhme”, – thekson ai. Me këtë angazhim dhe me vizionin për të realizuar këto projekte, Ardit Bido synon të bëhet zëri i Delvinës në Kuvend, duke siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatshme për qytetin dhe banorët e tij.
