Kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Ardit Bido, zhvilloi një takim të veçantë me veteranët e kësaj force politike në Konispol – me ata që për vite me radhë kanë qenë shtylla të qëndrueshme të bindjeve, punës dhe organizimit politik në këtë bashki.
“Nuk folëm për interesa personalë, por për vendin. Nuk kërkuam duartrokitje, por ndamë vizionin për një Konispol që rritet me dinjitet dhe pa u shkëputur nga rrënjët,” – tha Bido pas takimit.
Ai theksoi se fjala e tyre nuk vjen nga retorika, por nga përvoja, dhe se këta njerëz nuk kanë nevojë të vërtetojnë asgjë – sepse e kanë treguar veten gjatë gjithë viteve të përkushtimit të tyre ndaj komunitetit dhe ndaj Partisë Socialiste.
Në thelb të bisedës u ndje një emocion i përbashkët: dashuria për Konispolin dhe dëshira për të parë këtë qytet të zhvillohet, duke ruajtur identitetin dhe trashëgiminë që e bën unik.
“Me mbështetjen e këtyre njerëzve, me urtësinë e tyre dhe me besimin që na japin, kjo rrugë është e mundur. Së bashku, Konispolin e bëjmë shembull,” – u shpreh Bido me mirënjohje.










