Në një reagim të drejtpërdrejtë dhe me tone ironike, kandidati për deputet në qarkun Vlorë, Ardit Bido, iu përgjigj sot deklaratave të fundit të ardhura nga kampi i Partisë Demokratike, të cilat ai i konsideron si “bllof i radhës”.
Ngjarja ndodhi në qytetin e Delvinës – ose siç Bido e quan me krenari, “Troja”, duke iu referuar me dashuri vendlindjes së tij.
“Doktor, prapë bllof?! Çdo ditë do të merresh me mua?”, shkruan ai në reagimin e tij në rrjetet sociale, duke komentuar një video ku përfaqësues të PD-së tentojnë të paraqesin si “problem” praninë e zyrës elektorale të PS-së pranë KZAZ-së në qytet.
Por, sipas kandidatit, kjo “shqetësim” bie menjëherë poshtë kur vetëm disa hapa më tej ndodhet pikërisht zyra e Partisë Demokratike, përballë KZAZ-së, një fakt që sipas tij, e shpërbën të gjithë pretendimin.
“Gënjeshtrat kanë këmbë të shkurtra. Dhe s’mbërrijnë dot në Parlament. Në Trojë votojnë trojanët. Dhe ti e di shumë mirë kush do të votohet”, vijon ai me një mesazh të qartë për zgjedhësit e Delvinës.
Ky reagim vjen si një përpjekje për të vendosur qartësi dhe për të shmangur përpjekjet për tensionim artificial të fushatës elektorale, ndërsa kandidati i Partisë Socialiste shfaqet i vendosur për ta përqendruar fushatën tek puna, vizioni dhe zgjidhjet reale për qytetarët.
